Abuzimi seksual i fëmijëve

15 posts / 0 new
Last post
Kushtrim Islami
Kushtrim Islami's picture
Abuzimi seksual i fëmijëve

Të nderuar profesionistë të fushës së mbrojtjes së fëmijëve

Tema e këtij forumi u inicua bazuar në një raport nga fundi i muajit maj, nga Avokatit i Popullit i cili alarmon se në Kosovë abuzimi seksual i fëmijëve po rritet dhe shifrat mund të bëhen më të larta nëse bashkohen saktë që të gjitha të dhënat. Kohë më parë Policia e Kosovës ka arrestuar në Pejë një të dyshuar për kryerje të aktit pervers seksual të njohur si pedofili.Organi i akuzës thotë se është vënë në kërkim dhe zbardhje edhe të disa rasteve të tjera si të dyshuara, në parandalimin e kësaj dukurie që fatkeqësisht është në rritje, raporton RTK.

Do të kishte qenë e mirëseardhur nëse do ti kishit ndarë opinionet apo informacionet e verifikueshme që mund ti keni për këtë problematikë, dhe ku do të mund të sqaroheshin mundësitë për të ndërmarrë veprime nga institucionet përkatëse.

Lirie Lokaj
Lirie Lokaj's picture
Abuzimi seksual i fëmijëve

Kjo eshte nje ceshtje mjaft e ndjeshme, duke pas parasysh qe supozimi boteror eshte qe numri me i madh i abuzimeve seksuale tek femijet nuk zbulohen asnjehere, dhe si pasoje, as nuk raportohen. Ka edhe shume gjetje te hulumtimeve qe e mbeshtesin kete supozim.

Para 2-3 vitesh eshte bere nje dokumentar me kete teme nga RTK, ku jane treguar raste reale te pedofilise ne Kosove.  Njerezit kane qene mjafte te shokuar nga informatat e dhena ne dokumentar dhe ka shkaktuar nje shqetesim shume te madh tek popullata. Kjo tregon se sa shume “nen hije” ka qene kjo teme. Besoj se eshte me rendesi qe prinderit te jete te informuar qe abuzime te tilla ndodhin edhe ne mesin tone, qe te rrisin mundesite e parandalimit. Eshte me rendesi qe te informohen se pedofilia eshte nje crregullim psikiatrik (ne mase te madhe i patrajtueshem), i cili eshte prezent kudo ne bote, gje qe nuk e perjashton as shoqerine tone. Ndoshta duhet te behen me shume debate televizive me tema te tilla qe te njoftohet opinioni publik per prezencen reale te kesaj dukurie ne Kosove, por pa shkaktuar shqetesime te ekzagjeruara tek audienca.

Gjithsesi, shqetesimi im kryesor eshte ne organet e drejtesise. Para disa kohesh kam punuar me vajza te mitura qe kane qene te abuzuara seksualisht nga persona te rritur. Te paketen ne dy raste, denimi per dhunuesit ka qene qesharak, dmth jane denuar me disa muaj burg dhe sot vazhdojne te jene pjese e shoqerise tone. Ironija me e madhe eshte se, me aq sa kam informacion, njeri prej tyre vazhdon punen ne shkolle fillore ne cilesine e mesimdhenesit. Besoj se ky shembull mund tregoj sa shume na duhet te permiresojme mbrojtjen e femijeve ne te gjitha nivelet...

 

Valbona Carcani-Mane
Valbona Carcani-Mane's picture
pershendetje Lirie dhe

pershendetje Lirie dhe Kushtrim,

te gjitha ceshtjet e permendura me larte jane te vlefshme edhe per Shqiperine. Edhe ketu eshte identifikuar nevoja per ndergjegjesimin e popullates lidhur me fenomenin dhe se duke qene i fshehur, shifrat reale te tij duhet te jene alarmuese. eshte tendence psikologjike e njerezve te rezistojne ndaj nje realitet kaq stresues dhe aktivizimi i mekanizmave mbrojtes te mohimit behet i shpeshte. prandaj edhe nderhyrjet ne aspektin e parandalimit duhet te jene te hartuara ne menyre te tille qe marrin parasysh dhe tejkalojne keto forca.

njekohesisht, ceshtja qe ngre Liria lidhur me funksionimin e sistemit te drejtesise dhe sjelles/denimit ndaj keqberesit eshte reale edhe ne Shqiperi. eshte e tmerreshme te degjosh sesi ri-futen ne sistemin shkollor persona te inkriminuar per abuzim ndaj femijeve. kjo ve ne nje pikepyetje shume te madhe menyren sesi ky sistem funksionon; duke "denuar" gjithmone e me shume viktimen dhe duke "shperblyer" keqberesin.

ne keto kushte, nje tjeter dimension eshte "sa te mbrojtur ndihen edhe vete profesionistet qe punojne per mbrojtjen e femijeve?". Do te ftoja vete profesionistet e linjes se pare qe punojne me femijet, prinderit dhe komunitetet te ndanin lidhur me kete. 

Hysni Shala
Hysni Shala's picture
Abuzimi seksual i fëmijëve

Përshendetje,

Duke dashur që të jem në kontiunitet dhe pajtueshmëri në parim me të gjitha ato që u thanë me lartë.

Edhe pse rritja e raportimit të rasteve të abuzimit seksual të fëmijëve është indikator i mjaftueshëm për alarmimin 

dhe shqetësimin e shoqerise rreth rasteve të abuzimit seksual të fëmijëve,  gjithashtu shqetësimin e rrit edhe rastet 

e shumta që për arsye të ndryshme nuk raportohen.

Ekzistojnë disa veprime që duhet të ndërmerren dhe që ndihmojnë në parandalimin, luftimin dhe trajtimin e rasteve

të abuzimeve seksuale te fëmijët.

Kështu që të gjitha veprimet do t’i ndaj në dy grupe përgjegjësish:

  1. Përgjegjësia prindërore;
  2. Përgjegjësia institucionale;

Përgjegjësia prindërore

Prindërit të fëmijës apo kujdestarët e tyre iu përket përgjegjësia për mbrojtjen, kujdesin, mirëqenien dhe 

edukimin e fëmijëve, duke respektuar dinjitetin, nderin dhe personalitetin e fëmijës. Në ketë drejtim prindërit, 

kujdestarët dhe anëtarët e tjerë të familjes, kanë detyrë që të ofrojnë këshilla dhe udhëzime të mira si dhe ndihmën

për fëmijën, me qwllim ta përgatitin atë për një jetë të pavarur dhe të përgjegjshme në shoqëri. 

Fëmijët nuk janë përgjegjës, por prindërit janë përgjegjës për mos mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimet seksuale. 

Andaj, prindërit duhet t’i informojnë fëmijët se si mund të bie viktimë e abuzimit seksual, dhe duhet 

t’i mësojini fëmijës disa mënyra bazë për të parandaluar apo mbrojtur nga abuzimi seksual. 

Fëmijët duhet ta kuptojnë çka do të thotë të jetë i abuzuar seksualisht, sepse sa me pak të kenë njohuri fëmijët rreth 

abuzimit seksual aq me lehet mund të jenë viktima e abuzimit seksual.

Përgjegjësia institucionale

Institucionet duhet të zhvillojnë dhe zbatojnë politika dhe programe për të promovuar dhe për të forcuar aftësinë 

e prindërve apo kujdestarëve të fëmijëve për ngritjen e vetëdijes rreth parandalimit, luftimit dhe trajtimit të rasteve

që fëmijët e tyre mund të jene viktima të abuzimit seksual.

Institucionet duhet të krijojnë mekanizmat institucional për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi seksual dhe këta 

mekanizma duhet fituar besimin nga qytetarët për raportimin e rasteve të abuzimit seksual të fëmijëve.

Institucionet duhet të definojnë prioritetet dhe masat e nevojshme që duhen ndërmarrë për mbrojtjen e fëmijëve 

nga abuzimi seksual. Në rastet ku mekanizmat ekzistojnë atëherë këta mekanizma duhet ndihmuar dhe udhëzuar

në përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit në punën e tyre për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi seksual.

Institucionet duhet të bëjnë analiza, debate për  ligjet, rregulloret,  programet e ministrive dhe të organizmave tjerë 

në lidhje me çështjet e mbrojtjes të fëmijëve nga abuzimi seksual, nëse janë të mjaftueshme apo duhet ndryshuar 

pjesërisht apo të gjitha.

Gjithashtu, institucionet duhet t’i jepen prioritet dhe të zhvillohen pa vonesa të panevojshme rastet e abuzimit 

seksual të fëmijëve, kjo do të ndikonte në parandalimin dhe raportimin e rasteve të abuzimit seksual të fëmijëve.

 

Petrit Tahiri
Petrit Tahiri's picture
Abuzimi seksual i fëmijëve

Pajtohem me Lirien kur e ndërlidh problemin me mos-zbulimin e rasteve të abuzimit. Në fakt, unë mendoj se elementi bazë që e karakterizon këtë lloj të dhunës ndaj fëmijëve është vështirësia në identifikim dhe raportim.

Shikuar përgjithësisht, edhe pse jo në nivelin e duhur, rastet qe janë raportuar vitin e fundit, janë trajtuar nga gjykatat, p.sh. në Shtime kemi një mësues në burg për këtë çështje, po ashtu edhe në Mitrovicë. Ndërsa në Ferizaj mësuesi ka qëndruar në arrest shtëpiak deri në vendimin e gjykatës. Mirëpo, problemi më i madh qëndron tek ato raste që ne nuk i dimë dhe mbeten të pazbuluara. Raportimin që bëri vajza tek e ëma e saj në rastin e Divjakës do të duhej ta merrnim si model, në të kundërtën, siç edhe u konstatua vajza do të shndërrohej në vegël seksi për atë “mësimdhënësin” e mjerë.

Mos-raportimi lidhet ngushtë edhe me normat kulturore të shoqërisë sonë, ku në të shumtën e rasteve temat dhe problematikat që janë senzitive, preferohet të mbahen të fshehura. Po e ndaj me ju një rast që pat ndodhur në vitin 2011. Kur është raportuar një rast se si arsimtari i Edukatës Fizike i ngacmon femrat, dhe shpeshherë futet edhe në zhveshtore, drejtoria e shkollës e minimizonte rastin dhe nuk e procedonte tutje me arsyetimin se mësuesi do të dal në pension edhe disa muaj, dhe nuk ka kuptim që tash ta akuzojmë për këtë.

Pra, unë mendoj që ne në shkollat tona duhet të krijojmë një sistem të thjeshtë por shumë të besueshëm (sidomos sa i përket ruajtjes së privatësisë - anonimitetit) të raportimit, dhe të punojmë në ndryshmin e vetëdijes dhe mendësisë. Ky sistem do të siguronte që nëse raportohet një rast të trajtohet në mënyrën e duhur, dhe mundësisht, të mos bëhet çështje mediale, sepse ne jemi dëshmitarë të një amatorizmi klasik përsa i përket trajtimit të këtyre ngjarjeve nga mediat. Në shumicën e raportimeve mediale viktima “dhunohet” për të dytën herë nga media.

 

Klevis Vaqari
Klevis Vaqari's picture
Abuzimi seksual i fëmijëve!

Përshëndetje të gjithëve,

Kushtrim, të përgëzoj për zgjedhjen e temës e cila është mjaft delikate dhe e rëndësishme në shoqërinë tonë.

Pa dashur të përsëris ato që me shumë të drejtë janë thënë nga ju, edhe unë mendoj se shoqëria jonë ka nevojë për vetëdijësim të mëtejshëm rreth abuzimit seksual të fëmijëve. Ky fenomen vijon të jetë ndër më pak të raportuarit për shumë arsye, duke filluar nga fakti se ai ende rëndom konsiderohet si një temë tabu, shpesh fshihet për shkak të ndjenjës së turpit dhe tentohet të mbyllet e të mos trajtohet më tej si një çështje e cila “prek” moralin. Sigurisht një ndër format më të rënda të abuzimit seksual me fëmijë është incesti, i cili duke patur parasysh vlerat që institucioni i familjes bart në shoqërinë tonë, tentohet të fshihet “brenda mureve të shtëpisë” për të mos u përballur me gjykimin e të tjerëve e për të shmangur turpin.

Në bazë të statistikave botërore, abuzuesit janë persona të cilët kanë kontakte relativisht të shpeshta me këta fëmijë, e nëse jo, ata përpiqen të gjejnë alternativa për të qenë në kontakt me ta. Në këtë aspekt duhet rregulluar funksionimi i institucioneve publike ose jo, të cilët punojnë ose kanë të bëjnë me fëmijë, duke rregulluar çështjen e trajtimit të këtij fenomeni nëse ndodh brenda institucionit përkatës, raportimin, ndëshkimin, hapat që duhet të ndiqen si dhe masat parandaluese. Një dokumentacion i plotë dhe i implementueshëm mendoj se do të përbënin një bazë të mirë në luftën ndaj abuzimit.

Në anën tjetër është shumë e rëndësishme që të ketë një sistem efikas në trajtimin e viktimave. Sa të sigurt do të jenë ata, çfarë do të ndodhë më pas dhe a do të ruhet integriteti i tyre dhe konfidencialiteti I rastit para se media ta bëjë atë publik, apo do të stigmatizohen edhe më tej? Mendoj se institucionet kanë ende shumë për të bërë në këtë drejtim, në mënyrë që të sigurojnë një sistem efikas për rehabilitimin dhe reintegrimin e tyre.

Në fushën parandaluese mungojnë fushatat vetëdijësuese jo vetëm në nivel kombëtar por edhe atë lokal përmes aktiviteteve të ndryshme që mund të organizohen nga partnerët lokal. Është mjaft e rëndësishme që fëmijët ta kuptojnë më mirë fenomenin në tërësi dhe rëndësinë e raportimit. Edukimi i brezave të rinj është një investim i pamohueshëm i cili në një të ardhme afat mesme dhe afat gjatë do të japë frytet e tij.  

Qendresa Ibra Zariqi
Qendresa Ibra Zariqi's picture
Abuzimi seksual i femijeve

Abuzimi seksual i fëmijëve!

Meqë, korniza normative është e nevojshëm për përgjigje efektive ndaj abuzimit seksual të fëmijëve, po ju ofroj disa informacione të përgjithshme se si është e rreguluar kjo qështje me instrumente ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi të Rrepublikës së Kosovës.

Konventa për të Drejtat e Fëmijës, në nenin e 34 të saj kërkon nga Shtetet që "të mbrojnë fëmijën nga çdo lloj forme e shfrytëzimit seksual dhe abuzimit seksual" dhe, në veçanti, të ndërmarrin masa për të parandaluar prostitucionin e fëmijëve, pornografinë e fëmijëve, dhe shfrytëzimin ose nxitjen ose detyrimin e fëmijëve që të përfshihen në veprimtari të paligjshme seksuale. Përderisa, neni 39 i Konventës njeh detyrën e Shteteve për të promovuar riaftësimin fizik e psikologjik dhe riintegrimin në shoqëri të fëmijëve që janë viktima të çfarëdo forme të shfrytëzimit apo abuzimit, duke përfshirë shfrytëzimin ose abuzimin seksual.

Protokolli Jo i Detyrueshëm i KDF mbi Shitjen e Fëmijëve, Prostitucionin e Fëmijëve dhe Pornografinë e Fëmijëve, Konventa Evropiane për Mbrojtjen e Fëmijëve prej Shfrytëzimit dhe Abuzimit Seksual dhe Konventa Ndërkombëtare e Punës Nr. 182 mbi Format më të Këqija të Punës së Fëmijëve, janë instrumentet tjera relevante ndërkombëtare që mbrojnë fëmijët nga abuzimi seksual.

Ndërsa, neni 50.1 i Kushtetutës së Rrepublikës së Kosovës thekson se “Fëmijët gëzojnë të drejtën e mbrojtjes dhe të kujdesit të domosdoshëm për mirëqenien e tyre”, dhe paragrafi i dytë shton “Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi dhe eksploatimi.”

Sipas Kodit Penal të Kosovës, nga mosha 16 vjeç fëmijët kanë zotësi juridike për dhënien e pëlqimit për veprimtari seksuale. Ndërsa, thekson se nëse akti seksual është bërë me pëlqimin e dy personave të cilët janë së paku 14 vjeç, kur diferenca në moshat e tyre është 2 vjet ose më pak, në këto rrethana nuk është kryer asnjë vepër. Në dispozitat e tij, njehë veprat kryesore seksuale, si: përdhunimni, sulmin seksual dhe degradimin e integritetit seksual. Kodi Penal gjithashtu konsideron si krim shitjen, shfaqjen ose ofrimin e pornografisë një fëmije nën moshën 16 vjeçare. Krim konsiderohet edhe nxitja e një personi 16 ose 17 vjeç që të kryejë akte seksuale duke i premtuar martesë në mënyrë të rrejshme. Tutje, krim konsiderohet "ndërmjetësimi", sigurimin, krijimin e mundësisë, joshjen, nxitjen ose detyrimin e një fëmijë nën moshën 16 vjeç që të përfshihet në akte të paligjshme seksuale me një palë të tretë. Një numër i rrethanave rënduese janë të njohura gjithashtu, disa kanë të bëjnë me metodat e përdorura (forca, dehja) ose me lëndimin e pësuar, ose me identitetin e kryerësit dhe marrëdhënien e tij ndaj viktimës (prindërit apo të afërmit e tjerë; mësues, udhëheqës fetar, profesionist i kujdesit shëndetësor, ose ndonjë person tjetër në një pozitë me autoritet ose me një detyrë të kujdesit ndaj viktimës). Kodi parashikon dënime më të rënda për veprat penale të përmendura më lart kur viktima është 14 apo 15 vjeç, ose nën moshën 14 vjeç. Dënimi për përdhunim, për shembull, është 5 deri 20 vjet kur viktima është 14 apo 15 vjeç, dhe 10 deri në 20 vjet nëse viktima është nën moshën 14 vjeçare. (Për më shumë shif nenet:  228; 235; 236;237; 240 të Kodit Penal).

Legjislacioni në fuqi, konsiderohet se i përmbush standardet ndërkombëtare, që mund të kuptohet se janë proporcionale me seriozitetin e shkeljes dhe llogaritet të jenë bindëse, dhe në këtë mënyrë edhe të efektshme për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi seksual.

Paralelisht me zbatimin e legjislacionit konsideroj se, përveç tjerash, është e nevojshme  sigurimi i programeve vepruese për parandalim, shërim, rehabilitim dhe riintegrim të fëmijëve viktima të abuzimit seksual. Profesionistët që punojnë me fëmijë, patjetërsueshëm, duhet të kenë kapacitetin e nevojshëm nga spektri multidisiplinar për zbulim dhe reagim ndaj abuzimit seksual të fëmijëve. Si dhe, realizimi i fushatave për  sensibilizimin e fëmijëve, prindërve, komuniteteve, arsimtarëve dhe të tjerëve për mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e abuzimit seksual të fëmijëve.

Armen Mustafa
Armen Mustafa's picture
Abuzimi seksual i fëmijëve

Abuzimi seksual i femijeve, eshte nje qeshtje shume e ndjeshme dhe jo vetem tek ne. Kjo ndjeshmeri eshte e vecante sepse kemi te bejme me femije. Nese i referohemi situates ne Kosove. kompleksiteti i kesaj ceshtje, jane disa shqetesime  qe dua ti ngirs ne lidhje me problematike, disa nga te cilat jane ngritur edhe nga parafolesit e mi.

1. Shqetesimi i pare ka te bej me (mos) raportimin e abuzimit seksual te femijeve.. Nese u referohemi statistikave zyrtare, pothuaj qe nuk ka statistika ose numri eshte shume i vogel. Nga ana tjeter, nga nje hululmtim personal i imi, i bere me nxenesit e Shkollave te Mesme te Larta te Prishtines mosha 15-18, numri i femijeve qe raportojne per raste te dhunes seksuale deri ne abuzim seksual  ne faza te ndryshme jetesore sillet 5-10 %,. Por, me shqetesuese eshte fakti se femijet me shume flasin per te tjeret (per shoket e tyre) se sa per vehte, sikur ajo po i ndodh diku tjeter, andaj edhe nuk iu bene shume pershtypje dhe nuk e shohin te nevojshme te raportojne per kete, as ne studim se lere me tek ndonje autoritet apo prind. Pra, jam  plotesisht dakord me disa nga parafolesit e mi, qe kemi raste te tilla, por ne te shumten ato nuk raportohen jo vetem nga vete femijet e abuzuar, por as shoket e tyre dhe shpesh as te tjeret nuk jane te gatshem te raportojne.

2. Shqetesimi i dyte ka te bej me ate se cfare ndodh pas raportimit. Zakonisht pas raportimi, ndodh me shume te ri-viktimizohet vete femija me shume se sa qe gjykohet abuzuesi i tij. Ndodh qe te jepen edhe detaje neper media edhe per vete femijen, duke e etiketuar e stigmatizuar ne maksimum vete femijen. Pra, ne vend qe dikush te merret trajtimin dhe rehabilitimin e femijes, ndodh ri-viktimizimi i tij, duke e etiketuar dhe stigmatizuar ate. Kjo bene te kuptosh edhe arsyet qe shpesh jane kulturore qe kane te bejne me friken qe pas raportimit femija dhe familja do te behen objekt i fjaleve te komunitetit dhe mediave, andaj tentohet te mbahet ne fshehtesi rast, per cka pasojat jane dhe me te medha per vete femijen. Dhe,

3. Shqetesimi i trete ka te beje me trajtimin dhe sherbimet qe iu ofrohen ketyre femijeve. Ne dijme qe shkollat ne Kosove nuk kane ne te shumten sherbim psikologjiko-pedagogjik, ose edhe ato qe kane, mendoj qe nuk kane kapcitetet te mjaftueshme profesionale per te trajtuar raste te tilla. E njejta gje mund te thuhet ne te shumten edhe per Qendrat per pune Sociale. Famijet e abuzuar seksualisht kerkojne nje trajtim dhe sherbime mjaft specifike, per "ti kthyer ne jete, per cka nuk jam shume i sigurte se si shoqni jemi te gatshemi ti japim

Mendoj qe per t'iu pergjigjur kesaj sfide si shoqni, eshte e domosodshme te punojme ne vetedijesimin ne pergjithesi dhe te femijeve ne vecanti per pasojat e abuzimit seksual, per menyrat se si mund te mbrohen femijet dhe per nevojen e raportimit te ketyre raste. Paralelisht me kete, eshte e neojshme qe ti ngrisim mekanizma, sherbimett dhe kapacitetetet e institucioneve per t'u marre me kete femije, ne menyre qe te "kthejme ne jete" ata.

 

 

Merita Jonuzi
Merita Jonuzi's picture
Përshëndetje të gjithëve,

Përshëndetje të gjithëve,

 

 Temë me vend dhe komentet/ opionet e secilit janë aq të vlefshme. Pajtohem me të gjithë e sa i përket raportimit të dhunës, po lidhem me Petritin. Shpresojmë që sa i përket raportimit brenda sistemit arsimor, tashmë priten rezultatet  nga zbatimi i Rregullores për  Protokollin për Parandalimin dhe Referimin e  Dhunës në Institucionet e Arsimit Parauniversitar.  Kjo rregullore e miratuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës,  më 6 shtator 2013, i adreson këto lloje të dhunës:

 

 

  • dhunën fizike / trupore,
  • dhunë verbale,
  • neglizhimin
  • keqtrajtimin
  • ngacmimin në mes të moshatarëve,
  • dhunën seksuale
  • dhunën digjitale
  • dhunën psikologjike-emocionale

 

Dhe meqë e kemi konsoliduar edhe bazën e të dhënave brenda Sistemit të Menagjimit të Informacioneve në Arsim  ( SMIA) dhe të gjitha shkollat kanë qasje online, ndërkohë që janë të obliguara të raportojnë dhunën krahas statistikave të tjera, po shpresojmë që do t`i prekim rezultatet e raportimit dhe referimit të rasteve.

 Kur dhuna raportohet,  referohet dhe trajtohet me shërbimet e duhura profesionale, sigurisht që komuniteti shkollor dhe rrethi i jashtëm mbrojtës  vetëdijësohen për masat e duhura të parandalimit dhe reagimit.

E sa i përket parandalimit të dhunës nëpërmjet të edukimit, duhet që procesi i rregullt edukativo-arsimor ta kryej punën e vet nëpërmjet përmbajtjeve kurrikulare dhe ekstrakurrikulare në trajtimin e kësaj tematike ( siç i kemi hapësirat me kurrikulat tona të të gjitha niveleve). Natyrisht që edhe mbështjetja e shkollave nga profesionistë të sektorëve të tjerë do të ishte e mirëseardhur.

 Në lidhje me trajtimin e rasteve, ne kemi një koordinim ndërinstitucional sa i përket ushtrimit të mandateve tona karshi rasteve të caktuara ( viktimave të dhunës)… Kur viktimat e përfundojnë programin e mbrojtjes e të rehabilitimit ne nga sektori i arsimit e marrim përsipër procesin e riintegrimit në arsim ( sivjet i kemi pasur 3 raste të viktimave të dhunës seksuale të riintegruara në arsim). Ndërkaq sa i përket mësimdhënësve apo stafit arsimor të përfshirë në sjellje abuzive, sigurisht që janë masat administrative që burojnë nga legjislacioni në fuqi dhe mbi bazën e tyre keqpërdoruesit suspendohen nga puna dhe pjesa tjetër e sanksioneve i mbetet gjyqësorit. Definitivisht duhet ngritur vetëdija për përgjegjësinë ligjore të secilit indivit për raportimin e rasteve  ( të mos heshten e fshihen) ashtu që ndaj rasteve të veprohet siç kërkon infrastruktura jonë ligjore, bazuar në instrumentet ndërkombëtare.

Enkelejda Lopari
Enkelejda Lopari's picture
Po shtoj dhe une disa fakte

Po shtoj dhe une disa fakte nga legjislacioni ne Shqiperi, duke iu referuar nje artikulli ne nje reviste shkencore. 

Në teoritë bashkëkohore të kriminologjisë, krimi seksual ndaj të miturve, konsiderohet si ngjarje që nëse nuk “kurohet”, mund të kthehet në fenomen të zgjeruar “epidemi” apo krime me efekt “zinxhirë”. Ndër karakteristikat e viktimizimit seksual të fëmijëve spikatin recidivizmi dhe post trauma e fëmijërisë. Shkenca juridiko-penale gjithnjë e më shumë është fokusuar tek politika penale specifike për evidentim, parandalim, rehabilitim dhe ndëshkim të viktimizimit seksual të fëmijëve. Në Shqipëri krimet seksuale e më tej krimet me sfond seksual po bëhen më të shpeshta e më të rënda me forma tragjike të viktimizimit. Ky lloj krimi karakterizohet nga element social dhe psikologjik. Në ngjarjet e fundit konstatohet se viktimat janë kryesisht anëtarë të grupeve të pambrojtura sociale. Abuzuesit gjithnjë e më shpesh vinë me profil kriminal si përsëritës me karrierë të gjatë viktimizimesh. Në këtë kontest Shkenca Juridike Penale duhet të sjellë një model eficent të trajtimit shkencor të fenomenit. Kriminologjia duhet të hartojë programe të rehabilitimit dhe izolimit sipas rrezikshmërisë. Për parandalim të fenomenit dhe rehabilitim të viktimave të krimit seksual rëndësi të veçantë marrin Evidenca dhe Trajtimi Ligjor e më tej Doktrinar.Ligji Penal në Republikën e Shqipërisë paraqet mjaft probleme në trajtimin e krimeve seksuale.

Një person në moshë madhore është shpallur nga gjykata shqiptare si fajtor për “Vepra të turpshme”, (neni 108) për veprimin që karakterizohej nga penetrimi dhe prishja e himenit vajzëror te një 12- vjeçare nëpërmjet gjymtyrës së sipërme të trupit. Klasifikuar sipas këtij neni ky veprim sanksionohet deri në 5 vite heqje lirie. Kodi ynë penal nuk ka norma përshkruese që të përkufizojnë “krimin seksual” kundrejt “veprës së turpshme”. Në mungesë të përkufizimit gjykatat shqiptare interpretojnë në bazë të përkufizimeve të dhëna nga doktrina akademike. Termi “marrëdhënie seksuale” përkon me figura vepre penale parashikuar në nëntë nene të Kodit tonë Penal (Kodi Penal i përditësuar 2009)1. Kjo figurë vepre penale është parashikuar në seksionin “Krime Seksuale”, pjesë e kreut të II Vepra Penale kundër personit. Krime kundër jetës. Në asnjë prej neneve nuk kemi përkufizim për “marrëdhënie seksuale” apo “marrëdhënie homoseksuale”, pra jemi përpara mungesës së normave përshkruese. 

Në përkufizimet e dhëna në të vetmin tekst shkencorë për të Drejtën tonë Penale, Pjesa e Posaçme togfjalëshi “bashkim seksual normal” dhe “bashkim seksual i kundërnatyrshëm” shkaktojnë konfuzion së pari për faktin se nuk kemi definicion të qartë se çfarë konsiderohet normale dhe çfarë konsiderohet i kundërnatyrshëm. Kujtojmë se Organizata Botërore e Shëndetit që prej vitit 1974 ka njësuar në “akt seksual normal” aktin me subjekt persona me seks të njëjtë. Më tej “bashkim seksual” sipas tekstit akademik të Mjekësisë Ligjore ku bashkimi seksual konsiderohet “lidhje fiziologjike normale që ndodh vetëm midis personash të sekseve të ndryshme, midis burrit dhe gruas, gjithë veprimet e tjetra të drejtuara në përmbushjen e dëshirës seksuale në forma të tjera nuk janë bashkime seksuale. (Cipi&Meksi 2005)4. Për pasojë doktrina shkakton konfuzion në përcaktimin si bashkime seksuale të veprime të llojit a- penetrim me gjymtyrë, b-penetrim me objekt seksual stimulues, c-penetrimin oral etj. Edhe “vepra të turpshme” parashikohen si nen blanket, pa definicion. Në hartimin e ligjit penal ligjvënësi është mjaftuar duke përcaktuar si vepra të turpshme “Kryerjen e veprave të turpshme me të mitur që nuk kanë arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç, dënohet me burgim gjer në pesë vjet” (neni 108, Kodi Penal në fuqi). Gjithashtu Kodit i mungojnë disa figura veprash penale që duhej të mbronin marrëdhëniet juridike në mbrojtje të integritetit fizik e moral të fëmijës. P. sh: sulm seksual, nxitje e aktit seksual, degradim i integritetit seksual, ushtrim prostitucioni në afërsi të ambienteve shkollore, turizëm seksual; posedim i materialit pornografik me të mitur etj. Prandaj, pervec trajtimit me sherbime, politika penale ne Shqiperi ka nevoje per nje rishkim me rrenje. 

Moshe Landsman
Moshe Landsman's picture
Child sexual abuse

Pershendetje guys:

I appologize for writing this in English. I would just like to add a few thoughts to the interesting contributions above.

1. I think the major factor in this issue is that society sees the child as the possession of the adult and therefore they feel they can do what they want with the child. In order to change this, teachers and community leaders (who come from the same society and my have the same problem) need to empower the child. This is not at all easy.

2. You have convinced me that both Albania and Kosova have enlightened laws.  However, there are no resources for enforcement. This also reflects the attitude of the society, where the money for one road would pay for the hiring and training of hundreds of professionals. I would like to see a "people before asphalt" campaign.These people have to be taught to identify the issue and have the community support to stand up to the perpetrator. Special police have to be trained on interrigation of the children.

3. Putting the perpetrator in jail isn't enough. No matter how long they stay in, when they get out there is a high probablilty they will do it again. In some countries convicted pedophiles must register at the municipality where they live and the residents can be warned.

 

Kushtrim Islami
Kushtrim Islami's picture
Të nderuar kolegë,

Besoj se kontributi i dhënë në këtë forum është mjaft përmbajtësor dhe i dobishëm sa i përket qasjes ndaj kësaj problematike. Sfida në qasjen adekuate dhe mënyra e inkorporimit multi disciplinar, siç është theksuar nga folësit e mëhershem besoj se do të jetë një sy çelës për vendimmarrësit si dhe akterët tjerë relevantë që mund të luajne rol konstruktiv në ngritjen e vetëdijes në shoqërinë tonë dhe më gjerë.

Sa i përket gjuhës, nëse ndokush ka problem me kuptim të tekstit mundet lirisht të kërkoj përkthimin e tekstit të referuar në butonin 'Request a translation of this content'.

Ju faleminderit.

 

 

Valbona Carcani-Mane
Valbona Carcani-Mane's picture
I absolutely agree with Moshe

I absolutely agree with Moshe's observations regarding the attitude of the society. In general in Albania but I suspect it is the same situation in Kosovo as well, people would not react to child abuse in general. Although the tipical comment is "the other's house problems is not my problem" deep inside it underly two reasons: 1 - the belive that "kush te rreh te do" (this is an old albanian expresion for "who bits you cares for you") which is part of our system of values, fed from childhood and 2 - the actual fear for reporting the prepatrator (as in the sexual abuse).

It is time to have a specific and integrated child protection law now in Albania, where, besides many other things, two main issues are highlited 1 - the mandatory reporting of the abuse and 2 - the sancions that should apply for the child abandonment from the parents.

I guess it is time to have the law's and state's power as a factor for changing the attitude and believe of people, when it comes to protecting the children.

Vebi Mujku
Vebi Mujku's picture
Keqtrajtimi i femijeve

Shqetësim I paraqitur nga gjithë ju është shumë me vend, dhe ne poashtu po mundohemi të japim kontributin tone në këtë drejtim. Mirëpo, pa dyshim se këtu duhet të punohet mjafte edhe me tepër me gjithë aktorët që kanë të bëjnë me punën e fëmijëve duke filluar nga arsimi, shëndetësia , policia etj. Këtë po e them pasi që kohëve të fundit kemi pas raste të ngacmimit seksual në vet këto Institucione, të cilat janë të mandatuara për kujdes dhe trajtim të këtyre rasteve. Frika ime qëndron këtu se nëse fillon të humb besimi ndaj këtyre Institucioneve atëherë do të krijohet një pasiguri e madhe tek qytetarët.

Faktet po tregojnë se vetëm gjate muajit Maj dhe Qershor kemi pas 3 raste te tilla në shkolla të ndryshme të Kosovës e një nga ta ka qenë në Prishtinë ku ne kemi ndërmarrë hapat e duhur me kohë, dhe mësimdhënësi është arrestuar dhe përjashtuar, kurse me fëmijun dhe prindërit kemi mbajt rreth dy muaj seanca me psikologun dhe punëtorin social për rehabilitimin e tij.

Se fundi kemi të dhëna që edhe nga Policia ka pas keqpërdorim me të mitura që edhe kjo na bënë të shqetësohemi tej mase.

Ne folëm vetëm për raste të raportuara por gjithnjë qëndron fakti se kemi edhe raste të shumta të pa raportuara.

Po shqetësuese është fakti se dukuria ekziston kurse tjerat mbesin ne statistika.

 

Ju përshëndes

jonida dhroso
jonida dhroso's picture
Pershendetje te nderuar

Pershendetje te nderuar kolege,

Jam shume dakort me te gjitha cka u thane me siper...por cfare jemi duke bere per te eliminuar kete fenomen??? Edhe pse ne i trajtojme keto ceshtje dhe diskutojme rreth tyre, mbetemi akoma ne piken e nisjes.. asnje perpjekje nuk po behet per te ndryshuar Kodin Penal...asnje zbatim i KDF dhe Konventes se Lanzarotes...se pari ne duhet te krijojme ambiente miqesore per femijet qe ne momentin kur ata merren ne pyetje...gje qe nuk ekziston...., pasi edhe ne ato rajone policie qe keto ambinete u krijuan tashme nuk ekzistojne me, por jane kthyer ne ambiente te rendomta "zyrash"....A ka monitorim se si zhvillohet nje teme sociale sipas kurikulave te percaktuara? JO...temat sociale qe duken te thjeshta per tu trajtuar por te rendesishme per informacionin qe mbartin, trajtohen nga persona qe nuk jane profesioniste...ne Shqiperi lenden "Edukim per shoqerine" e trajton mesuesi i fizikes, matematikes, apo edukimit fizik...nese NE nuk percjellim te femijet informacionin e duhur duke perdorur gjuhen e duhur, duke shpjeguar pasojat dhe masat mbrojtese kundrejt ketij fenomeni, do te degjojme shume raste femijes te cilet bien "pre" e abuzimit sexual....dhe ai qe vuan me shume gjithmon mbetet femija.

Ju pershendes.

This project is funded by: