[Kosova] Investimi për fëmijërinë e hershme, investim për të ardhmen

23 Nën 2017

Sot e nesër në Prishtinë mbahet konferenca rajonale “Investimi në kujdesin dhe zhvillimin gjatë fëmijërisë së hershme: Faktet, mundësitë dhe sfidat”, e organizuar nga Save the Children në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë për Arsim, Shkencë dhe Teknologji të Kosovës.

Kjo konferencë dyditore mbledh një numër të madh dhe të larmishëm të përfaqësuesve nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, drejtoritë komunale të arsimit, të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, udhëheqës e edukatorë nga institucione parashkollore, mjekë e infermierë nga qendrat e mjekësive familjare, zyrtarë nga qendra për punë sociale si dhe pjesëmarrës nga Save the Children Italia, Gjeorgjia, Ballkani Veriperëndimor dhe Shqipëria.

Kohëve të fundit, fëmijëria e hershme është një fushë në të cilën anë e mbanë botës, po i kushtohet rëndësi e jashtëzakonshme. Sipas Bankës Botërore, investimi tek fëmijët e vegjël është një prej investimeve më të mençura që mund të bëjnë vendet. Për më tepër, disponueshmëria e objekteve të cilësisë së lartë, jo të kushtueshme të kujdesit për fëmijët e vegjël që nga lindja deri në moshën e shkollimit obligativ është një prioritet edhe për Bashkimin Evropian. Në të njëjtën kohë, përveç që e mbështet zhvillimin e fëmijëve, investimi në kujdesin e fëmijëve do të rriste punësimin, të ardhurat, rritjen ekonomike dhe do të forconte barazinë gjinore.

Edhe Qeveria e Kosovës është duke i ndjekur hapat e botës, dhe në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, ka njohur që rritja e gjithpërfshirjes në institucionet parashkollore vendosë bazën për sukses akademik më vonë në jetë, zvogëlon pabarazinë dhe rritë kapitalin njerëzor.

Përfshirja e komponentës së arsimit parashkollor në Strategjinë Kombëtare është një hap shumë i rëndësishëm, veçanërisht kur vetëm 3.7 % e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç vijojnë institucionet publike parashkollore. Politikat e këtilla progresive duhet të mbështeten edhe me zhvillim të resurseve njerëzore dhe me ndarjen e burimeve financiare për shërbime cilësore dhe të qasshme të kujdesit dhe zhvillimit gjatë fëmijërisë së hershme për të gjithë fëmijët.

“Zhvillimi i fëmijës është një proces holistik dhe për këtë arsye krijimi i një programi, holistik dhe të qëndrueshëm, të kujdesit dhe zhvillimit gjatë fëmijërisë së hershme kërkon angazhim të akterëve kryesor në nivel qendror. Një program i mirëfilltë në mbështetje të fëmijërisë së hershme është i mundur përmes bashkëpunimit ndër-sektorial të ministrive kryesore dhe drejtorive përkatëse dhe arsimit, shëndetit dhe mirëqenies sociale dhe praktikuesve të tjerë profesionalë në nivel lokal” Ahmet Kryeziu – drejtor vendor i Save the Children në Kosovë

Konferenca është një mundësi për politikë-bërësit, ofruesit e shërbimeve, përfaqësuesit nga akademia dhe palët e tjera të interesit të informohen për rëndësinë e investimit në kujdesin dhe zhvillimin gjatë fëmijërisë së hershme dhe për praktikat më të mira në ofrimin e shërbimeve të kujdesit dhe zhvillimit gjatë fëmijërisë së hershme për të gjithë fëmijët me një çmim të përballueshëm, si dhe t’i hulumtojnë mundësitë për investim në kujdesin dhe zhvillimin gjatë fëmijërisë së hershme. Po ashtu, është një iniciativë për të ndarë njohuritë duke involvuar zyrat vendore të Save the Children dhe organizatat e tjera në Kosovë duke nxitur një kulturë më të fuqishme të njohurive që inkurajon jo vetëm shkëmbimin e njohurive, por edhe aplikimin e atyre njohurive anembanë organizatave për të përshpejtuar progresin drejt zgjidhjeve më të mira.

Ky projekt është financuar nga: