Misioni i Terre des hommes në Shqipëri dhe Kosovë merr pjesë në Takimin e Koordinatorëve Kombëtarë për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore të vendeve te Evropës Juglindore

17 Maj 2016

Një takim rajonal i Koordinatorëve Kombëtarë për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore të vendeve të Evropës Juglindore u zhvillua në Tiranë më 12 maj 2016. Takimi u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Koordinatori Kombëtar Shqiptar Kundër Trafikimit, në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Politikat e Zhvillimit të Migracionit. Qëllimi ishte krijimi i një hapësire, ku koordinatorët mund të shkëmbenin qëndrimin e vendeve të tyre dhe praktikat pozitive të përpjekjeve kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Misioni i Terre des hommes në Shqipëri dhe Kosovë ishte ftuar në këtë takim të rëndësishëm si përfaqësues i shoqërisë civile, bazuar në përvojën afatgjatë të organizatës në çështjet që lidhen me trafikimin ndërkufitar dhe të brendshëm të fëmijëve, si dhe mbrojtjen e fëmijëve në lëvizje.

Pjesëmarrësit diskutuan për sfidat rajonale, praktikat pozitive dhe nevojat e tyre në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore me një fokus të veçantë në problemin e të miturve të pashoqëruar. Sipas zyrës së OSBE në Shqipëri, takimi vuri në dukje nevojën për "harmonizimin e përkufizimeve, procedurave dhe protokolleve për të siguruar identifikimin dhe mbrojtjen efektive të të miturve të pashoqëruar, duke theksuar rëndësinë e përshtatjes së këtyre procedurave me flukset e mundshme të migracionit".

Përfaqësuesesja e Terre des hommes për Shqipërinë dhe Kosovën, Znj. Jezerca Tigani, theksoi nevojën për një përgjigje të menjëhershme të vendeve të rajonit për të mbrojtur të gjithë të miturit e pashoqëruar në kuadrin e krizës aktuale të migrimit dhe veçanërisht të atyre që ndodhen pranë kufijëve ose në lëvizje nga një vend në tjetrin. Ajo gjithashtu theksoi se numri i ulët i të miturve të identifikuar nga vendet e Evropës Juglindore që lëvizin të pashoqëruar midis kufijve nuk mund të shihet vetëm si një rezultat pozitiv i politikave aktuale dhe masave parandaluese. Në fakt, ky mund të jetë tregues i sistemeve të dobta identifikuese dhe referuese, të cilat kanë nevojë të forcohen.

Në këtë kontekst, autoritetet kombëtare duhet t'i kushtojnë më shumë vëmendje hetimit efikas të situatave specifike të të miturve të pashoqëruar në lëvizje në të gjithë rajonin. Autoritetet duhet të jenë më të qarta për përkufizimin ligjor të termit "i mitur i pashoqëruar", ku duhet të përfshihen edhe rastet e fëmijëve të shoqëruar nga të rritur që nuk janë prindër ose kujdestarë ligjorë te tyre. Këto raste duhet ti referohen autoriteteve përkatëse për hetim të mëtejshëm, duke pasur parasysh rreziqet e mundshme për trafikim. Kur fëmijët janë në nevojë për mbrojtje në situata ndërkufitare, rolet, përgjegjësitë dhe procedurat duhet të jenë të qarta për të realizuar shkëmbimin e informacionit mbi situatën fëmijës, vlerësimin e interesit më të lartë të tij si dhe rivendosjen e lidhjeve familjare. Për këtë arsye, Terre des hommes u bën thirrje qeverive për të krijuar mekanizma ndërkombëtarë dhe ndërkufitarë për menaxhimin e rasteve, për të mbrojtur në mënyrë efektive fëmijët në këto situata, përfshirë edhe identifikimin e hershëm dhe mbrojtjen e fëmijëve në rrezik trafikimi.

Në përfundim, përfaqësuesja e Terre des hommes ngriti çështjen e rëndësishme të riintegrimit të fëmijëve të kthyer në vendin e tyre të origjinës dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve në këtë proces, duke filluar që nga organet e drejtësisë, ashtu edhe institucionet që ofrojnë shërbime sociale, arsimore dhe shëndetësore. Një përgjigje efektive dhe të gjithëpërfshirëve ndaj trafikimit të fëmijëve kërkon një harmonizim më të mirë të politikave të migracionit dhe anti-trafikimit me sistemet e mbrojtjes së fëmijëve në të gjithë Evropën Juglindore.

 

Series this is part of: 

Ky projekt është financuar nga: