Më 30 Shtator, Grupi Parlamentar "Miqtë e Fëmijëve" u mblodh në një seancë të veçantë të thirrur nga UNICEF Shqipëri në lidhje me gjetjet dhe rekomandimet nga procesi i vlerësimit afatmesëm të Agjendës për Fëmijët, 2017-2020.
Agjenda Kombëtare e të Drejtave të Fëmijëve 2017-2020 është një dokument strategjik, i cili krijon kushte premtuese për zhvillimin e shëndetshëm fizik dhe psiko-social të fëmijëve, si dhe për përfshirjen e tyre sociale dhe pjesëmarrjen në të gjitha proceset, përmes mbrojtjes efektive dhe promovimit të të drejtave te tyre, bazuar në parimin e interesit më të mirë të fëmijës. Agjenda u miratua me Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 372, më 26.04.2017.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) koordinoi procesin e monitorimit të Agjendës për periudhën 2017–2018. I gjithë procesi u mbështet nga UNICEF Shqiperi, që përmes Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve dhe Rinisë, dha ekspertizën teknike për të hartuar metodologjinë dhe për të analizuar informacionin e mbledhur nga institucionet përgjegjëse. Përpjekja u bë në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara ‘Mos lër askënd pas,’ i financuar nga Agjensia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Në fund, raporti paraqet disa reflektime midis të cilave:
- Korniza rregullatore për të drejtat e fëmijëve ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme (përmirësuar) qëkur u hartua kjo Axhendë në vitin 2016
- Me ndryshimet nga procesi i decentralizimit, roli i NJQV-ve duhet të rishikohet për zbatimin e Agjendës.
- Ka institucione të krijuara rishtazi përgjegjës për zbatimin dhe raportimin e masave të rëndësishme të Agjendës, si dhe rishpërndarjen e përgjegjësive dhe roleve.
Si përfundim i përgjithshëm, raporti thotë se ka një nevojë të menjëhershme për të rishikuar dhe planifikuar në mënyrë adekuate / realiste zbatimin e veprimeve / masave të parashikuara në Agjendë në vitet e ardhshme.
Ju lutemi gjeni raportin e plotë në shqip këtu