Ina Verzivolli, përfaqësuese e UNICEF Shqipëri ishte e ftuara e programit "Dita Jone" të Kanalit Televiziv A2, për të diskutuar mbi çështje që lidhen me sigurinë në internet dhe prezantimin e konceptit të Wi-Fi miqësor.
Sipas saj, ka shumë prindër që janë ndërgjegjësuar për rreziqet që Interneti paraqet për fëmijët e tyre. Të gjendur përballë dy zgjedhjeve: të lejojnë fëmijët të familjarizohen me teknologjitë e reja dhe botën digjitale apo t'i izolojnë ata nga frika e një rrjeti të pasigurt, shumica e tyre nuk dinë si t'ë veprojnë.
UNICEF, i është përgjigjur kësaj sfide duke adoptuar strategjinë e “Friendly Wi-Fi”, i cili është një shërbim i certifikuar, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili mundëson që përmbajtja online të filtrohet nga materialet e paligjshme dhe pornografia. UNICEF jo vetëm që e ka përthithur këtë risi por e ka përfshirë atë në një program akoma më të gjerë rreth sigurisë online për fëmijët.
Një nga aplikimet e para të këtij programi është angazhimi i komunitetit për t'ju bashkuar nismës “Friendly Wi-Fi Tirana”. Si fillim ishin bizneset e zonës së Pazarit të Ri që iu bashkuan nismës për internet të sigurt, për fëmijët dhe qytetarët. Falë këtij angazhimi, qytetarët që frekuentojnë me fëmijët e tyre në baret e zonës mund të konsumojnë kafenë pa u shqetësuar, sepse zona është tashmë e sigurtë dhe e filtruar nga materialet e dëmshme online. Njëkohesisht “Friendly Wi-Fi” u lejon sipërmarrësve, të rrisin përgjegjësinë e tyre sociale ndaj klientëve, duke u mundësuar atyre të lundrojnë të sigurt.
Angazhimi i bizneseve për nismën “Friendly Wi-Fi”, është një fillim i mbarë për krijimin e hapësirave për një internet të sigurt për fëmijët. Shpresa e kësaj iniciative është që të perhapet në sa më shumë zona dhe biznese në të ardhmen.