Si ndikojnë shërbimet e decentralizuara te fëmijët? Forumi i Vjenës mbi Politikat e Decentralizimit

18 Maj 2016

Në datat 10-11 Maj 2016, Platforma për Mbrojtjen e Fëmijëve në Europës Juglindore  (Childhub) organizoi në Vjenë të Austrisë “Forumin e Politik-bërjes për Ndikimin e Decentralizimit te Shërbimeve Sociale”. Aktiviteti mblodhi së bashku rreth 60 politik-bërës, autoritete lokale, përfaqësues nga fusha akademike dhe Organiziata Jo fitmprurëse nga 14 vende të ndryshme.

Pjesëmarrësit, përgjatë dy ditëve, analizuan proceset e decentralizimit dhe ndikimin e tyre në shërbimet sociale duke evidentuar mësimet e nxjerra në veçanti në lidhje me shërbimet për fëmijët në nevojë. Në takim u prezantuan gjendja aktuale dhe sfidat me te cilat janë duke u përballuar institucionet dhe profesionistët sa i përket zhvillimit të praktikave si dhe zbatimit të tyre në nivel lokal. Ata gjithashtu shkëmbyen informacion dhe identifkuan prioritetet për reformat e ardhshme në interes të fëmijëve të të gjithë rajonit.

Në këtë forum morën pjesë edhe autoritete të pushtetit qëndror dhe lokal nga Shqipëria dhe Kosova. Shqipëria u përfaqësua nga Z.Sotiraq Filo, Kryetar i Bashkisë Korçë, Znj. Besjona Mehmetaj, Drejtore në Bashkinë e Tiranë dhe Znj. Matilda Tyli, përfaqësuese e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.  Ndërsa nga Kosova, të ftuar ishin Znj. Rita Hajzeraj, Zëvendës Ministre dhe Z. Muhamet Gjocaj, Udhëheqës i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës Z. Shpend Ahmeti dhe Kryetari i Komunës së Ferizajit, Z. Muharem Svarqa.

Z. Robert ZEINER, Drejtor i Programeve dhe Projekteve të Agjensisë Austriake për Zhvillim Ndërkombëtar shprehu mbështetjen e këtij institucioni për Plaformën për Mbrojtjen e Fëmijëve, duke theksuar rezultatet e jashtëzakonshme që kjo nismë ka arritur që nga fillimi i projektit në Janar të vitit 2015.

Gjatë takimit, ekspertë nga Shqipëria, Maqedonia, dhe Serbia prezantuan çështjet kryesore,  pengesat si dhe praktikat e mira nga procesi i decentralizimit të shërbimeve sociale në këto vende. Forumi përfshiu edhe shkëmbine në grupe të vogla, ku pjesëmarrësit diskutuan efektet e decentralizimit, mënyra për të shmangur pabarazitë dhe për të ndërtuar partneritete efektive, me synimin kryesor vendosjen e interesave të fëmijëve në plan të parë.

Gjatë diskutimit për sfidat e decentralizimit të shërbimeve sociale në vendet pjesëmarrëse, përfaqësuesit nga Shqipëria theksuan, ndër të të tjera, nevojën për role më të qarta të institucioneve të pushtetit qëndror dhe lokal, ç’ka duhet të reflektohet në kuadrin ligjor përkatës. Më tej, u përmend nevoja për një planifikim më efektiv të shërbimeve sociale nga njësitë vendore,  dhe në veçanti të financimit të nevojshëm të këtyre shërbimeve. Këto janë kërkesa të domosdoshme për të mundësuar shtrirjen dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve ekzistuese dhe atyre të reja në kuadër së reformës së pritshme të shërbimeve sociale në të gjitha zonat e vendit dhe për gjitha grupet në nevojë,  e në veçanti fëmijët.

Më tej, përfaqësuesit nga Shqipëria renditën një sërë nismash që kanë filluar të ndërmerren dhe duhet të kenë përparësi në kuadër të përmirësimit të shërbimeve sociale, duke filluar me miratimin e kuadrit të ri ligjor për përkujdesjen shoqërore dhe harmonizimin e tij me legjislacionit për organizimin dhe kompetencat e pushtetit vendor; fushatën e  komunikimit për njohjen e legjislacionit të ri nga të gjithë ofruesit e shërbimeve dhe ngritjen e strukturave përkatëse në nivel lokal; si dhe forcimin e kapaciteteve të pushtetit lokal për hartimin e planeve sociale. Përsa i përket mbrojtjes së fëmijëve, si përfaqësuesit e pushtetit lokal ashtu edhe atyre qëndror ishin të mendimit që prioritet në reformën e shërbimeve shoqërorore duhet të ketë fuqizimi i strukturave të mbrojtjes së fëmijëve në nivel lokal, hartimi i planeve të deinstitucionalizimit dhe fuqizimi i shërbimit të kujdestarisë.   

Nga ana tjeter, përfaqësuesit nga Kosova bënë përshkrimin në formë të rezymesë të progresit si dhe sfidave me të cilat ballafaqohen institucionet si në nivelin qendror poashtu edhe në atë lokal në periudhën pas konfliktit, sidomos me theks të veçantë proceset që kanë ndodhur gjatë fazës së decentralizimit, nga viti 2009 në Kosovë. Ata theksuan ndarjet buxhetore për shërbimet sociale të cilat janë të ndara, ku niveli qendror mbështet shërbimet e ofruara kurse ai komunal mbështetë pagt e personelit të angazhuar në qendrat për punë sociale që veprojnë në nivel komunal.

Në vazhdim, përfaqësuesit nga Kosova theksuan sfidat reale të cilat ndërlidhen me nevojën për mbështetje nga vendimmarrësit, duke i parë shërbimet si të rëndësishme në vazhdën e prioriteteve të përcaktuara. E një rëndësie të veçantë u cek nevoja për mbështetje shtesë buxhetore duke i cekur sfidat me të cilat ballafaqohen punëtorët social. Por në anën tjetër u përmend mbështetja e shoqërisë civile siç janë organizatat si ndërkombëtare si UNICEF, Terre des hommes etj. U përmend edhe mbështetja e këtyre si dhe e akterëve tjerë lokalë në draftimin e ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve i cili pritet të amandamentohet në Kuvendin e Kosovës.

Forumi vazhdimisht  theksoi rëndësinë e ndërtimit të lidhjeve më të forta dhe përmirësimin e kapaciteteve profesionale të të gjithë aktorëve të përfshirë në ofrimin e shërbimeve dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe Plaforma Chilhhub është e gatshme të ofrojë mbështetje për këtë. Megjithatë, siç përmendi  një nga pjesëmarrësit, "edhe në qoftë se një punonjës social nuk ka kualifikime, por ka zemrën dhe mendjen e tij në një rast, ai mund të arrijë shumë".

Raporti i Forumi do të publikohet së shpejti me më shumë informacion mbi rezultatet. Ndërkohë më shumë detaje dhe fotot janë në dispozicion në faqen tonë në Facebook.

Ky projekt është financuar nga: