Shkollat në Kosovë kanë ndërprerë procesin mësimor për shkak të situatës së krijuar si rezultat i pandemisë COVID – 19.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) tash një javë rresht ka qenë duke bërë video-xhirime të materialeve mësimore të cilat do të fillojnë të transmetohen që nga sot në kanalet e televizionit publik.
Ministrja Hykmete Bajrami në një konferencë për media dha detajet e funksionimit të mësimit nga distanca.
“Mësimi online do të fillojë të transmetohet me date 23.03.2020, ditë e hënë, nga ora 11:15, fillimisht me klasën e I-rë, dy njësi mësimore (gjuhë amtare dhe matematikë), pastaj vazhdon me klasën e II-të, dy njësi mësimore, pastaj me klasën e III -të, e kështu me radhë edhe për klasët tjera ” – tha ajo.
Sipas ministres, procesi nuk është perfekt por është një hap i mirë drejt digjitalizimit të procesit mësimor edhe pasi që gjendja të normalizohet.
Njoftimin për nisjen e mësimit nga distanca, qytetarët e kanë marrë edhe përmes mesazheve telefonike.