KOSOVA: Niveli 2

Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por është duke bërë përpjekje të mëdha për ta bërë këtë. Qeveria demonstroi përpjekje të shtuara në krahasim me periudhën paraprake të raportimit; prandaj, Kosova mbeti në Nivelin 2. Këto përpjekje përfshinin ndjekjen penale të më shumë të dyshuarve dhe identifikimin e më shumë viktimave. Qeveria kreu hetime dhe inspektime të fuqishme të përbashkëta dhe rriti financimin e përgjithshëm për mbrojtjen e viktimave. Megjithatë, Qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kryesore. Gjykatësit vazhduan të shqiptonin dënime të buta për trafikantët e dënuar dhe reaguesit e parë kishin mungesë të udhëzimit dhe përpjekjeve për identifikim proaktiv për viktima të lypjes së detyruar, posaçërisht për fëmijët. Përkundër rritjes së fondeve të përgjithshme për mbrojtjen e viktimave, qeveria i uli fondet për strehimoret e drejtuara nga OJQ-të për të pestin vit me radhë, duke i detyruar OJQ-të të mbështeten në donatorët e huaj.

 

REKOMANDIMET ME PËRPARËSI:

Energjikisht t’i hetojë, ndjekë penalisht dhe dënojë trafikantët, përfshirë zyrtarët bashkëfajtorë, dhe t’u shqiptojë trafikantëve dënime më të rrepta me burg. • Të sigurojë financim adekuat dhe konsistent për strehimoret e drejtuara nga OJQ-të. • Të caktojë prokurorë dhe gjykatës të trajnuar në secilin rajon për t’u me marrë rastet e trafikimit. • Të zhvillojë udhëzime me shkrim dhe t’i përmirësojë përpjekjet për t’i identifikuar dhe për t’u ndihmuar fëmijëve që detyrohen të lypin. • Të vazhdojë të ofrojë trajnim të avancuar për gjykatës, prokurorë dhe për organet për zbatim të ligjit në hetimin dhe ndjekjen penale të trafikimit. • Ta pakësojë numrin e rasteve të pazgjidhura, përfshirë rastet e trafikimit. • Të punojë me autoritetet lokale për ta forcuar mbrojtjen e viktimave në komunat veriore. • Ta rrisë mbështetjen qeveritare për trajnim gjithëpërfshirës profesional dhe shërbime të riintegrimit për viktima. • Ta standardizojë mbledhjen e të dhënave dhe ta krijojë një databazë që i zbërthen statistikat për trafikim dhe ndjekje penale e dënim për raste të lidhura me trafikimin.

 

NDJEKJA

Qeveria i vazhdoi përpjekjet për zbatim të ligjit. Neni 171 i Kodit Penal e kriminalizoi trafikimin për qëllime seksuale dhe punë, dhe përcaktoi dënime prej pesë deri në 12 vjet burg dhe gjobë për veprat që përfshijnë viktimat e rritura, dhe pesë deri në 15 vjet burg dhe gjobë për veprat ku përfshihen viktimat fëmijë. Këto dënime ishin mjaft të rrepta dhe, sa i përket trafikimit për qëllime

seksuale, në përputhje me dënimet e përcaktuara për krime të tjera të rënda, si dhunimi. Në nëntor të vitit 2018, Qeveria rishqyrtoi Kodin Penal, i cili hyri në fuqi në prill të vitit 2019, i riklasifikoi të gjitha veprat e prostitucionit të detyruar si trafikim dhe e rriti dënimin minimal për trafikim të fëmijëve prej tri në pesë vjet burg. Autoritetet pranuan 43 raste të reja që përfshinin 80 të dyshuar (34 raste në vitin 2018). Policia arrestoi 22 të dyshuar (22 në vitin 2018) dhe nëntë të dyshuar ë tjerë për “shfrytëzim të shërbimeve seksuale nga një viktimë e trafikimit” (shtatë në vitin 2018). Gjykatat i dënuan tetë trafikantë (nëntë në vitin 2018) dhe i dënuan pesë autorë që “shfrytëzuan shërbime seksuale nga një viktimë e trafikimit” (pesë në vitin 2018). Gjykatësit vazhduan të shqiptonin dënime nën dënimin minimal prej pesë vjetësh burg. Tre trafikantë u dënuan me burg prej një deri tri vjet e gjashtë muaj; një trafikant u dënua me një vit e gjashtë muaj burg dhe me një gjobë prej 1.000 eurove (1.120 dollarë); tre trafikantë u dënuan me gjoba midis 2.500 eurove (2.800 dollarë) dhe 3.000 eurove (3.370 dollarë); dhe një trafikant u dënua me kusht. Tre persona që “shfrytëzuan shërbime seksuale nga një viktimë e trafikimit” u dënuan me nga një, respektivisht dy vjet burg dhe një gjobë prej 2.400 eurove (2.700 dollarë); dy persona u dënuan me kusht. Gjykatat e pakësuan numrin e rasteve të pazgjidhura të trafikimit; 74 raste mbetën të hapura nga vitet e kaluara (78 në vitin 2018).

 

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) e Policisë së Kosovës (PK) i ka hetuar të gjitha rastet e trafikimit me tetë njësitë e veta rajonale. DHTQNJ mbajti një njësi në komunat veriore me shumicë serbe; njësia ishte integruar në sistemin gjyqësor të Kosovës. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) vazhdoi ta caktonte një koordinator të posaçëm për trafikim dhe emëroi një koordinator rajonal për trafikim në Kosovën perëndimore. DHTQNJ kreu inspektime që rezultuan në mbylljen e përkohshme të 54 prej 174 bareve të hetuara, klubeve të natës, restoranteve dhe salloneve të masazhit për t’i adresuar cenueshmëritë. Veçmas, DHTQNJ bashkëpunoi me Inspektoratin e Punës për t’i kryer 443 inspektime të përbashkëta të bareve, klubeve të natës, restoranteve dhe salloneve të masazhit (157 në vitin 2018). DHTQNJ gjithashtu kreu operacione të përbashkëta me Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, Administratën Tatimore dhe Inspektoratin e Punës për t’i kontrolluar 171 biznese, si sallone masazhi e bare, dhe 272 hotele, që shpurën në mbylljen e përkohshme të 78 salloneve të masazhit dhe hoteleve. Vëzhguesit raportuan që mungesa e trajnimit dhe e përvojës në raste të trafikimit ndër gjykatës dhe prokurorë rezultoi në dënime të buta ose në raste të uljes në krim më të vogël, posaçërisht të rasteve që përfshinin kontrollin emocional dhe detyrimin psikologjik të viktimës. Përveç kësaj, PK-ja dhe policia kufitare vazhduan të dështonin në kontrollim dhe nuk kishin udhëzime se kur do ta klasifikonin lypjen e detyruar të fëmijëve nga prindërit e tyre si trafikim në vend se si mospërfillje ose abuzim prindëror.

 

ZKPSH i trajnoi gjykatësit dhe prokurorët, dhe Departamenti i PK-së për trajnime, në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, mbajti 48 trajnime (44 në vitin 2018). Akademia e Drejtësisë i trajnoi prokurorët, gjykatësit dhe avokatët e viktimave në çështje të trafikimit. Qeveria shkëmbeu informata me qeveritë e huaja në 30 raste të trafikimit (21 në vitin 2018) dhe bashkëpunoi me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë në hetime. DHTQNJ, ZKPSH dhe Inspektorati i PK-së bashkëpunuan për t’i hetuar nëpunësit zyrtarë të qeverisë që mund të ishin bashkëfajtorë në krime të trafikimit, por nuk raportuan për ndjekje penale apo dënime. Korrupsioni dhe bashkëfajësia zyrtare në krime të trafikimit mbetën shqetësime të mëdha, gjë që i pengonin veprimet e organeve për zbatim të ligjit gjatë vitit. Në vitin 2016, prokurorët akuzuan dy policë në raste të veçanta për keqpërdorim të dyshuar të pozitës zyrtare dhe shfrytëzim seksual të viktimave të trafikimit. Gjykimet ishin në vazhdim e sipër në fund të periudhës së raportimit.

 

MBROJTJA

Qeveria i shtoi përpjekjet për mbrojtjen e viktimave. Qeveria i identifikoi 26 viktima të trafikimit (15 në vitin 2018). Prej tyre, 19 ishin viktima të trafikimit seksual, dy të punës së detyruar, dy të “robërisë dhe skllavërisë”, një e lypjes së detyruar, një e robërisë shtëpiake përmes martesës së detyruar, dhe një e “shitjes së fëmijës” (në vitin 2018, 11 ishin viktima të trafikimit seksual, dy të punës së detyruar, një e “skllavërisë dhe servilizmit” dhe një e robërisë shtëpiake përmes martesës së detyruar). Prej këtyre 26 viktimave të njëjta të trafikimit, 15 ishin fëmijë (12 në vitin 2018); 23 ishin femra dhe tre ishin meshkuj (14 femra dhe një mashkull në vitin 2018); dhe 21 ishin nga Kosova, dy nga Serbia, dy nga Mali i Zi dhe një nga Shqipëria. Reaguesit e parë përdorën indikatorë standardë për t’i kontrolluar popullatat e cenueshme; megjithatë, vëzhguesit raportuan për mungesë të udhëzimeve dhe përpjekjeve proaktive për identifikim të viktimave të lypjes së detyruar, posaçërisht fëmijëve. Një mekanizëm shumë-disiplinor kombëtar i referimit (MKR) ofroi procedura standarde të operimit (PSO) për identifikimin dhe referimin e viktimave në shërbime. MKR-ja kërkonte që një hetues nga DHTQNJ-ja dhe një avokat i viktimave nga Zyra për Ndihmë dhe Avokim të Viktimave të mblidheshin dhe t’i vlerësonin viktimat si rrezik i ulët, i mesëm ose i lartë, dhe ta koordinonin kujdesin dhe vendosjen e viktimave. PSO-të kërkonin që një nëpunës social të kujdesej për viktimat fëmijë. OJQ-të vazhduan të raportonin që MKR-ja funksiononte mirë dhe theksuan bashkëpunimin e mirë midis aktorëve.

 

Qeveria i licencoi dhe pjesërisht i financoi dy strehimore të drejtuara nga OJQ-të për të ofruar shërbime për viktima të trafikimit, bashkë me Objektin për Siguri të Përkohshme (OSP), të drejtuar nga shteti. Këto strehimore ofronin ndihmë juridike, shërbime mjekësore e psikologjike, këshillim, arsim, shërbime rekreative dhe mbështetje tjetër rehabilituese. Autoritetet ua ofronin viktimave të huaja të njëjtat të drejta dhe shërbime si viktimave vendëse. Viktimat gjithashtu kishin qasje në nëntë objekte kujdesi të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), por qeveria nuk kishte objekt kujdesi në katër komunat veriore të vendit. OSP i strehonte përkohësisht viktimat e trafikimit të vlerësuara si rrezik i lartë. Autoritetet kërkonin që viktimat të kishin përcjellje policore jashtë OSP-së gjersa procedurat gjyqësore ishin në vazhdim e sipër dhe kërkonin miratim nga prokurori dhe PK-ja për viktimat për t’u larguar përgjithmonë nga OSP-ja gjersa vlerësoheshin si rrezik i lartë. Objekti kishte kapacitet t’i strehonte 40 persona në dhoma të veçanta për femra, meshkuj dhe familje. Viktimat qëndronin në OSP mesatarisht 90 ditë para se të transferoheshin në një strehimore të drejtuar nga OJQ-të. OSP strehoi 27 viktima (17 viktima në vitin 2018). Dy strehimore të drejtuara nga OJQ-të ofronin shërbime mbështetëse për viktimat e vlerësuara rrezik i ulët - i mesëm; njëra nga këto strehimore të drejtuara nga OJQ-të ishte vetëm për fëmijë. Shoqëria civile raportoi për cilësi të mirë të kujdesit për viktima, por programet e riintegrimit patën sukses të kufizuar për shkak të mungesës së burimeve dhe shkallës së lartë të papunësisë.

Qeveria ndau 172.960 euro (194.340 dollarë) për mbrojtje të viktimave, krahasuar me 150.680 euro (169.300 dollarë) në vitin 2018. Megjithatë, Qeveria vazhdoi ta ulte financimin për strehimoret e drejtuara nga OJQ-të, të cilat morën 67.000 euro (75.280 dollarë), krahasuar me 70.680 euro ( 79.420 dollarë) në vitin 2018, 72.870 euro (81.880 dollarë) në vitin 2017, 91.010 euro (102.260 dollarë) në vitin 2016 dhe 101.930 euro (114.530 dollarë) në vitin 2015. OSP mori 80.000 euro (89.890 dollarë) në vitin 2019, 2018 dhe 2017. Përveç kësaj, qeveria ndau 5.160 euro  (5.800 dollarë) për shërbime shëndetësore dhe qeveritë komunale ofruan 7.100 euro (7.980 dollarë) për një strehimore të drejtuar nga OJQ-të. Financimi i qeverisë ishte joadekuat për strehimoret e drejtuara nga OJQ-të dhe operacionet nuk mund të vazhdonin pa donatorë të huaj. Përveç kësaj, ka pasur vonesa burokratike dhe konfuzion mbi përgjegjësitë, duke rezultuar në vonesa të financimit në vitet e kaluara. Në vitin 2019, MPMS u lejoi OJQ-ve të aplikonin për financim njëvjeçar, një rritje nga tetë-muaj sa ishte vitin e kaluar. Megjithatë, për shkak të një vonese burokratike që zgjati një muaj, OJQ-të morën financim vetëm për 11 muaj. Ligji u jep të drejtën viktimave të huaja për një periudhë reflektimi prej 90 ditësh, gjatë të cilës viktimat mund të rimëkëmben para se të vendosin nëse do të bashkëpunojnë me organet për zbatim të ligjit.

Ligji u jep të drejtë viktimave të huaja për leje qëndrimi të përkohshëm për së paku gjashtë muaj; asnjë viktimë e huaj nuk kërkoi leje (asnjë në vitin 2018). Qeveria riatdhesoi dy viktima (tri në vitin 2018). Të 26 viktimat morën pjesë në hetime dhe procedura gjyqësore (15 në vitin 2018). Qeveria raportoi se trafikantët e dyshuar nuk ishin të pranishëm kur viktimat jepnin deklarata dhe viktimat e huaja mund të ktheheshin në vendet e tyre të prejardhjes pas dhënies së dëshmisë, pa pritur për përfundim të gjykimit. Ligji lejonte kompensim nga shteti nëse viktimat nuk mund të merrnin dëmshpërblim nga trafikantët e tyre. Një fëmijë, viktimë e abuzimit seksual, u kompensua me 2.000 euro (2.250 dollarë), ndërsa asnjë viktimë nuk mori kompensim në vitin 2018.

 

PARANDALIMI

Qeveria i vazhdoi përpjekjet për ta parandaluar trafikimin. Agjencia kombëtare kundër trafikimit të personave (AKKTP) i koordinoi përpjekjet mes agjencive dhe mbante mbledhje mujore për ta monitoruar zbatimin e Planit kombëtar për veprim (PKV) kundër trafikimit 2015 – 2019. Megjithatë, qeveria nuk kishte linjë specifike buxhetore për zbatimin e PKV-së. Qeveria, në konsultim me shoqërinë civile, filloi hartimin e një PKV-je për periudhën 2020-2024. OJQ-të raportuan për bashkëpunim shumë të mirë me AKKTP-në dhe koordinatorin kombëtar, përfshirë reagimin ndaj rekomandimeve dhe shqetësimeve. Qeveria organizoi fushata vetëdijesimi, konferenca dhe tryeza të rrumbullakëta për të rinjtë, studentët, zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe publikun e përgjithshëm. MPMS zhvilloi një kornizë ligjore për regjistrimin dhe licencimin e punëdhënësve të sektorit privat, përfshirë agjencitë e huaja të punësimit. Linja e drejtpërdrejtë telefonike për viktima të dhunës në familje dhe të krimeve të tjera, e drejtuar nga qeveria, pranoi 831 thirrje (929 në vitin 2018), përfshirë nëntë raste të trafikimit të mundshëm (tetë në vitin 2018). Qeveria zhvilloi fushata vetëdijesimi për ta ulur kërkesën për akte të seksit komercial.

 

PROFILI I TRAFIKIMIT

Siç është raportuar gjatë pesë vjetëve të fundit, trafikantët i shfrytëzojnë viktimat vendase dhe të huaja në Kosovë, dhe trafikantët i shfrytëzojnë viktimat nga Kosova jashtë vendit. Rrjetet kriminale i shfrytëzonin viktimat për trafikim seksual brenda vendit. Shumë viktima të trafikimit seksual në Kosovë janë vajza, edhe pse trafikantët gjithashtu i detyrojnë gratë nga Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe vende të tjera evropiane të merren me prostitucion. Gratë dhe vajzat i nënshtrohen trafikimit seksual në shtëpi e banesa private, në klube të natës e lokale të masazhit. Fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera fqinje detyrohen të lypin brenda vendit. Trafikantët i nënshtrojnë qytetarët e Kosovës në trafikim për seks dhe punë të detyruar në mbarë Evropën. Komunitetet e margjinalizuara të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve janë të cenueshme ndaj lypjes së detyruar dhe trafikimit për seks. Korrupsioni qeveritar krijon një mjedis që mundëson disa krime trafikimi.

Bashkangjitur Madhësia
2020-tip-report-complete-062420-final.pdf47.81 MB 47.81 MB
Publication type
Total pages
570
Vende(t) pёr tё cilat ёshtё relevant kjo pёrmbajtje
Llojet e publikimeve

Childhub

Mund t'ju pëlqejë...

0
75
KOSOVA: NIVELI 2 Qeveria e Kosovës nuk i plotëson standardet minimale për eleminimin e trafikimit, megjithatë, ajo është duke bërë përpjekje të mëdha për ta bërë këtë. Qeveria demonstroi përpjekje të shtuara në krahasim me periudhën paraprake të…
0
66
  Raporti i Trafikimit me qenie njerëzore (Raporti i TIP), është një raport vjetor i lëshuar nga Zyra e Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Monitorimin dhe Luftimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Ajo rendit qeveritë bazuar në…
no
0
65
Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eleminimin e trafikimit por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë këtë. Qeveria demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të…
yes
0
103
  Udhëzuesi i publikuar në gusht 2020 nga Ministria e Arsimit dhe ASCAP, i cili syon të pajisë shkollat e nivelit para universitar me masa sigurie ndaj COVID 19, parashikon tre skenarë kryesorë të zhvillimit të procesit mësimor. Skenarët do të…
0
145
Me datë 1 qershor 2022, Save the Children në Kosovë me mbështetje të Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar-Sida, lansuan Raportin Zërat e Rinj 2022 në Kosovë. Anketa 'Zërat e Rinj' u realizua vitin e kaluar, në mbarë Kosovën, për t'u dhënë…
0
126
  Ky raport u botua bashkërisht nga OBSH, UNICEF, UNESCO, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të KB për Dhunën ndaj Fëmijëve dhe Partneriteti Global për t'i dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve. Ai sjell të dhëna nga mbi 1000…
0
889
  Një artikull i publikuar së fundmi nga Save the Children ka treguar që 27% e viktimave të trafikimit janë fëmijë. Ky artikull ka si qëllim kryesor të sqarojë disa mite që ekzistojnë në lidhje me çështjen e trafikimit të…
0
47
Departamenti i Shtetit të SHBA ka publikuar raportin e 2016-ës mbi Trafikimin e Personave. Ky raport i gjerë dhe i detajuar hedh dritë mbi përmasat e problemit të trafikimit të qenieve njerëzore në shkallë globale dhe vë në dukje tmerret e këtij…
0
326
  Ky raport harton rreziqet dhe mundësitë për fëmijët në Evropë, të tilla si qasja në internet, praktikat në internet, aftësitë, rreziqet në internet dhe mundësitë për fëmijët e moshës 9-16 vjeç në Evropë. Ekipet e rrjetit EU Kids Online…
0
39
Hintalovon Gyermekjogi Alapítvány publikon një video të raportit vjetor mbi gjendjen e të drejtave te fëmijeve ne Hungari.    
0
459
  Ky raport tregon normat  sociale ekzistuese dhe më të përhapura në Indi në kontekstin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe analizon në mënyrë kritike ndikimin dhe praktikën e tyre; sanksionet sociale në zhvillim dhe identifikon pengesat…
0
24
  Trafikimi i qënieve njerëzore është skllavëri e kohëve moderne dhe prek çdo vend si pikë tranziti apo destinacion.  Pavarësisht nga përpjekjet e shtuara të Qeverisë Shqiptare, organizatave qeveritare dhe shoqërisë civile për të luftuar…