Në Kroaci, çështja e abuzimit me fëmijët u soll në vëmendjen e publikut 20 vjet më parë, duke krijuar një nga modelet më të avancuara të ofrimit të shërbimeve të integruara dhe të specializuara për fëmijët e prekur nga format e rënda të abuzimit, dhe traumës me fokus të dedikuar në shërbimet diagnostikuese dhe trajtime afatgjata te te miturve. 

Nisur nga kjo përvojë 20 vjeçare, një grup prej 7 profesionistësh shqiptarë në nivel qendror dhe lokal vizituan së fundmi Qendrën për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Rinisë në Zagreb. 

Vizita e shkëmbimit u organizua si një nga aktivitetet kyçe që UNICEF-i dhe partneri i tij zbatues, Terre des hommes po mbështesin për të siguruar që modelet dhe praktikat më të mira të ofrimit të shërbimeve të merren parasysh në përgjigjen ndaj fëmijëve shqiptarë të prekur nga format e rënda të dhunës. 

Kolegët kroatë ndanë me profesionistët e vijës së parë që punojnë në qendrat me një ndalesë në Fier dhe Shkodër praktikat më të mira dhe strategjitë e suksesshme të zbatuara aktualisht në Kroaci për identifikimin, ndihmën dhe rehabilitimin e fëmijëve dëshmitarë ose të mbijetuar të formave të rënda të dhunës.

Për Edliri Dokon, koordinatorin e Qendrës me Një Ndalesë në Fier, kjo vizitë shërbeu për të kuptuar rëndësinë e shërbimeve të integruara:

“Vizita në Poliklinikën e Zagrebit më bëri të kuptoj se pavarësisht vështirësive dhe sfidave të pafundme me të cilat përballemi në trajtimin dhe ofrimin e shërbimeve për viktimat e abuzimit seksual apo formave të rënda të dhunës, ne duhet të kuptojmë se sistemet duhet të integrohen dhe të funksionojnë si subjekt i unifikuar”

Profesionalisht frymëzuese e cilësoi këtë shkëmbim eksperience në Kroaci, koordinatorja e Qendrës me Një Ndalesë në Shkodër, Angjela Radovani 

 “Ne dolëm, nga kjo vizitë studimore, me një vizion dhe frymëzim të ri për të përmirësuar veten me qëllimin për të ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë dhe shërbime konkrete për viktimat e abuzimit seksual ose të formave të rënda të dhunës. Rëndësia e bashkëpunimit ndërsektorial dhe përmbushja e detyrave që ka çdo aktor në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, çon në reduktimin dhe minimizimin e ritraumatizimit të viktimave si dhe ofrimin e menjëhershëm të shërbimeve përkatëse.”

Kjo vizitë studimore u zhvillua në kuadër të programit “𝑇𝑟𝑎𝑛𝑠𝑓𝑜𝑟𝑚𝑖𝑚𝑖 𝑖 𝑃𝑒̈𝑟𝑔𝑗𝑖𝑔𝑗𝑒𝑠 𝐾𝑜𝑚𝑏𝑒̈𝑡𝑎𝑟𝑒 𝑛𝑑𝑎𝑗 𝑇𝑟𝑎𝑓𝑖𝑘𝑖𝑚𝑖𝑡 𝑡𝑒̈ 𝑄𝑒𝑛𝑖𝑒𝑣𝑒 𝑁𝑗𝑒𝑟𝑒̈𝑧𝑜𝑟𝑒 𝑛𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑛𝑔𝑎 𝑆ℎ𝑞𝑖𝑝𝑒̈𝑟𝑖𝑎”, e zbatuar nga Tdh, e udhëhequr nga UNICEF Albania dhe mbështetur nga British Embassy Tirana.

Profesionistët e Qendrave me Një Ndalesë Njihen në Kroaci me një nga Modelet më të Mira në Mbrojtje të Fëmijëve, Viktima të Dhunës.

Childhub

You might like..

No matching content found.