Në fillim të vitit 2020, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) dhe Terre des hommes (Tdh) hartuan, botuan dhe shpërndanë Manualin e Punës për Punonjësit e Njësisë Psiko-Sociale në Shkolla, i cili shërben si një mjet orientues në punën e këtyre punonjësve. Po në këtë vit, nevoja për rritjen e numrit të punonjësve të këtyre njësive, u mbështet edhe nga Urdhri i Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë Nr. 593 për rekrutimin shtesë, proces i cili u realizua duke sjellë prurje profesionistësh të rinj në këtë detyrë.
Me synim mbështetjen e profesionistëve në detyrën e tyre si punonjës të Njësisë Psiko-Sociale në Shkolla, Tdh, përveç organizimit të trajnimeve dyditore me tematika që mbështeten në Manualin e Punës së Punonjësit Psiko-Social (maj – qershor 2021), organizoi edhe grupe të fokusuara diskutimi me qëllim mbledhjen e informacionit më të thelluar mbi nevojat konkrete të punonjësve lidhur me punën e tyre në këto njësi.
Në fund të procesit u përgatit ky raport, i cili ka si qëllim informimin e aktorëve përgjegjës për plotësimin e nevojave për ndihmë dhe aftësim të mëtejshëm të profesionistëve, dhe i cili mund të përdoret edhe si bazë për hartimin e një plani ndërhyrjeje në të ardhmen.
Raporti përmban seksione të dedikuara për çdo profil profesional (psikologu dhe punonjësi social) me gjetjet kryesore nga diskutimet në grup dhe sygjerime të ardhura nga vetë profesionistët lidhur me përmirësimin e rolit dhe performancës së tyre në punë. Në fund raporti mbyllet me një përmbledhje të shkurtër të përmbajtjes së tij, në formën e rekomandimeve.
Childhub dhe Terre des Hommes falenderon rreth 130 profesionistët e përzgjedhur nga njësite psiko sociale në shkolla qe ofruan njohuritë, opinionet dhe sugjerimet e tyre për realizimin e këtij raporti si dhe eskpertet e angazhuara me realizimin e tij Rudina Rama, Blerta Bodinaku mbështetur nga Valbona Carcani-Mane, Artemisi Shehu and Irida Agolli.