Çështjet e mbrojtjes së fëmijëve janë shumë komplekse, të vështira dhe shpesh dërrmuese për t'u trajtuar për profesionistët e vijës së parë në çdo kontekst. Të mësuarit nga praktika e supervizimit është një komponent thelbësor i edukimit dhe trajnimit të të gjithë profesionistëve në punën e drejtpërdrejtë me fëmijët dhe familjet. Ai është “gur themeli” i një praktike të mirë për këta profesionistë dhe është i orientuar drejt efikasitetit, llogaridhënies, standardeve profesionale dhe performancës së lartë të punonjësve.
Bazuar në këto parime kyçe, në fillim të vitit 2020 Childhub inicioi një seri seancash supervizimi, të ofruara për profesionistët e përfshirë në mbrojtjen dhe kujdesin e fëmijëve që vijnë nga institucione publike dhe private si; PMF në bashki, punonjës të rasteve në qendrat e ofrimit të shërbimeve, profesionistë që punojnë për organizata me në qendër fëmijët, punonjës të njësive psikosociale në shkolla etj. Gjatë dy viteve, janë regjistruar gjithsej 74 profesionistë në këto sesione teksa 15 prej tyre kanë arritur (dhe tejkaluar) kuotën e pjesëmarrjes prej 10 seancash.
Sipas metodologjisë së procesit, pjesëmarrësit që do të ndiqnin këtë numër seancash kishin automatikisht të drejtë të regjistroheshin në një Trajnim të Trajnerëve (ToT), me synim mundësimin e lehtësimit të seancave të supervizimit për profesionistët e tjerë të rinj. Udhëhequr nga Prof. Assoc. Izela Tahsini, një eksperte e njohur për mbikëqyrjen në vend, 15 profesionistët u mblodhën në këtë ToT që u zhvillua nga 8-10 Mars 2022 në Tiranë.
Trajnimi ndoqi modelin e metodologjisë së kombinuar (blended) me takimet e ditës së parë në formë virtuale/online, ndërsa dy ditët e tjera takime ballë për ballë në Hotel Mondial. Seancat virtuale përfshinin edhe ndjekjen e kursit online të akademisë Childhub, “Zbatimi i mbikëqyrjes në agjencitë e mbrojtjes dhe kujdesit ndaj fëmijëve”, ndërsa pjesë e programit në ditët në vijim ishin aplikimi i situatave reale, organizimi i lojrave me role, diskutimi mbi skenarë të ndryshëm etj.
Nga testet e vlerësimit administruar në përfundim të trajnimit, u duk qartë se të gjithë pjesëmarrësit e konsideruan këtë trajnim shumë të rëndësishëm për konsolidimin e njohurive të tyre në lidhje me supervizimin profesional dhe zgjuan dëshiren e tyre për t'u përfshire në përvoja të mëtejshme supervizimi në të ardhshmen me profesionistë të tjerë të rinj, të së njëjtës fushë. Childhub ka vlerësuar maksimalisht angazhimin dhe përfshirjen e tyre serioze gjatë gjithë përvojës dhe shpreson të vazhdojë këtë rrugëtim pasurues për të gjithë edhe në muajt e ardhshëm.