Në zemër të ChildHub janë organizatat e tij partnere dhe koordinatorët e secilit vend ku ne fokusojmë punën tonë - Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Rumania dhe Serbia.
Koordinatorët kujdesen për përmbajtjen e platformës online, e përkthejnë apo përshtasin atë në shumë gjuhë, organizojnë evenimente në internet dhe promovojnë ChildHub midis profesionistëve të mbrojtjes së fëmijëve. Për më tepër, në vendet tona prioritare, ne zhvillojmë kërkime, avokim, rrjetëzim dhe iniciativa për ndërtimin e kapaciteteve, dhe koordinatorët janë në paravijë të mobilizimit në këto sipërmarrje të Childhub.
Falë koordinatorëve lokalë, ChildHub lulëzon sot, pas gjashtë vitesh nga fillesat e tij. Lexoni një intervistë me Valbona Carcani-Mane, Koordinatore e ChildHub për Shqipëri, Terre des hommes, për të mësuar më shumë rreth këtij roli dhe sfidave të mbrojtjes së fëmijëve në Shqipëri.
Na trego pak për veten dhe rolin tënd si bashkëpunëtore e ChildHub
Profili im akademik është Psikologji Klinike, teksa mbaj edhe një Master në Zhvillim Ndërkombëtar. Kam punuar në fushën sociale në Shqipëri për më shumë se 20 vite. Në rolin tim si bashkëpunëtore e ChildHub për Shqipërinë, kam qenë promovuese e platformës që nga fillimi i saj në 2015, kam ndihmuar aktivizimin e majft profesionistëve të rëndësishëm të fushës së mbrojtjes së fëmijëve në veprimtarinë e ChildHub-it; me pak fjalë veproj si mekanizmi kryesor për sigurimin e realizimit në kohë dhe sipas standarteve të aktiviteteve lokale.
Cilat janë disa nga aspektet më shpërblyese të rolit tuaj?
Aspekti më me vlerë i punës sime është mundësia që më krijohet për të njohur profesionistë nga fusha të ndryshme të mirëqenies dhe mbrojtjes së fëmijëve dhe jo vetëm nga vendin tim, por edhe nga vendet e tjera të rajonit. Unë vlerësoj maksimalisht diversitetin dhe cilësitë që të gjithë kolegët e mi dhe njerëzit e tjerë me të cilët punoj sjellin në përvojën time personale dhe punën profesionale. Janë një pasuri e pamatë!
Si po i adreson ChildHub boshllëqet e mbrojtjes së fëmijëve në Shqipëri?
Unë besoj se puna në mbrojtjen e fëmijëve është shumë sfiduese në vetvete; mjaft vende të tjera edhe më të zhvilluara se Shqipëria përballen me vështirësi. Tek ne, profesionistët raportojnë mbi mungesën e vazhdueshme të burimeve dhe mbështetjes për të bërë punën siç duhet dhe unë besoj se ChildHub mund të përdoret si një mjet i fuqishëm për të mbushur një pjesë të këtij boshllëku dhe për të adresuar shumë nga keto nevoja.
Cilat janë sfidat që hasin profesionistët e mbrojtjes së fëmijëve gjatë pandemisë?
Izolimi dhe pasiguria që erdhi me pandeminë sollën sfida të reja dhe shtesë për profesionistët e mbrojtjes së fëmijëve, veçanërisht ata që po punonin në vijën e parë. Globalisht, dhuna në familje dhe rastet e abuzimit, panë një rritje të lartë në numër dhe izolimi e bëri shumë të vështirë për punonjësit e mbrojtjes që të përgjigjen ndaj të gjitha nevojave. Gjatë kësaj periudhe të vështirë, ChildHub në Shqipëri dëshmoi se ishte një mjet efikas, duke ofruar shumë mundësi online për profesionistët për të mësuar, shkëmbyer dhe marrë mbështetje.
ChildHub kohët e fundit ka një pamje të re.....
Oh, më pëlqen! Duket më e dashur, shumë më tërheqëse dhe mjaft dinamike. I inkurajoj të gjithë ta eksplorojnë.
***
Childhub drejtohet nga Terre des hommes (Zyra Rajonale në Hungari në bashkëpunim me zyrat lokale në Shqipëri, Kosovë, Moldavi, Rumani dhe Greqi), në partneritet me Save the Children Veri-Perëndimore të Ballkanit, Know-how Center for Alternative Care per fëmijë në Bullgari, Brave Phone në Kroaci dhe Qendra për Integrimin e të Rinjve në Serbi.
ChildHub financohet nga Agjencia Austriake e Zhvillimit, Fondacioni Oak dhe Fondacioni Terre des hommes.